Hamza takohet më gratë e Krushës: Do ta zgjerojmë përkrahjen përmes subvencioneve

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, më 13.01.2025 është takuar me gratë e Krushës së Madhe, për të cilat ka thënë se ato janë simbol i guximit, punës dhe këmbënguljes.

Sipas Hamzës, nga kultivimi i produkteve bujqësore që e filluan për mbijetesë, ato arritën të ndërtojnë një biznes shumë të suksesshëm.

Ai është zotuar se do të zgjerojnë përkrahjen përmes subvencioneve dhe granteve investive për prodhimtarinë bujqësore.

“Ne do ta zgjerojmë përkrahjen përmes subvencioneve dhe granteve investive për prodhimtarinë bujqësore, përpunimin, përmirësimin e teknologjisë dhe do të ndërtojmë qendra grumbulluese për ruajtjen, klasifikimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore. Edhe sigurimi i kulturave bujqësore është i domosdoshëm dhe do ta bëjmë! Puna e Fahrijes dhe e grave të Krushës nuk është thjesht një punë e zakonshme, por frymëzim për të gjithë ne”- ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Hamza, në ditën e tretë të fushatës një mujore ka prezantuar projektet e tij në kuadër të Zotimit të Parë, nga gjithsej pesë zotimet e tij kryesore që i ka përmendur më herët.

Zotimi i parë i Hamzës për qytetarët është më shumë zhvillim, më pak tatime.

“Grante për bizneset për mbulimin e investimeve deri në 30%, zero tatim në fitim për bizneset që investojnë mbi 500 mijë euro ose punësojnë mbi 50 punëtorë, ndryshimi i Ligjit për Tatimin në Pronë, krijimi i Fondit për mbështetje gjatë papunësisë, ku 80% e pagës së fundit do u mbulohet atyre që i humbin vendet e punës deri në 6 muaj, si dhe eliminimi i tarifës doganore për veturat e reja elektrike”-është shprehur ai.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.