Hamza: Projektet ekzistuese të autostradave do të përfundojnë brenda vitit të parë të qeverisjes

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, më 17.01.2025 përmes një video mesazhi është zotuar për përfundim të projekteve ekzistuese të autostradave, brenda vitit të parë të qeverisjes së tij.

Ai ka premtuar ndërtim të linjës hekurudhore me Shqipërinë, elektrifikimin e hekurudhave, ndërtim të digave e kanaleve të ujitjes, investime në Qendra të Skijimit në Brezovicë dhe Borea.

Po ashtu, Hamza ka premtuar lidhjen e autostradave përmes segmentit Qafë Duhël – Shtime – Banullë të Lipjanit dhe ndërtimin e Unazës së Prishtinës.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.