
Hamza premton grante për mbulimin e investimeve të bizneseve deri në 30%
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza po e vazhdon fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Hamza, më 22.01.2025, po mban takime me biznese.
Ndërsa, ka premtuar grante për mbulimin e investimeve të bizneseve deri në 30%.
“Sot, ditë e takimeve të shumta me biznese, të cilat paguajnë taksa që pastaj sigurojnë pagat e mësimdhënësve, policëve, ushtarëve, pensionet. Ndërtohen rrugët, shkollat e spitalet, për të mundësuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Republikën tonë. Grante për mbulimin e investimeve të bizneseve deri në 30%.” – ka shkruar Hamza.
Fushatën për Zgjedhje po e zhvillon edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka njoftuar se është takuar me qytetarë në Remnik të Vitisë.
“Remnik, Viti: Mobilizim. Pozitivitet. Optimizëm! Me mbështetjen e gjithsecilit prej jush, fitorja e 9 Shkurtit është çdo ditë më afër dhe gjithnjë e më e sigurt.” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër – lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.