Hamza: Përkrahja e Ligjit për Rimëkëmbje nuk ndërlidhet me zhvillimet politike

Bedri Hamza, nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është ligj për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për bizneset.

Hamza tha se përkrahja e këtij ligji nga ana e PDK-së nuk ka asnjë ndërlidhje për zhvillimet politike që mund të  ndodhin tashmë.

“As nuk paragjykon si do të jetë skena politike në të ardhmen as nuk garanton se PDK do të përkrah ligje apo marrëveshje ndërkombëtare nëse nuk besojnë se janë në interes të vendit”, shtoi Hamza.

Hamza shtoi se janë opozitë e qeverisë dhe vazhdojnë të jenë opozitë por sipas tij nuk munden që pafundësisht të jenë opozitë e interesave të shtetit.

“Sa i përket pakos emergjente është bo me vendim të qeverisë. Deri sa është ndërru baza legale ka qenë ligjërisht e pa mundur që e njëjta të implementohet. E kemi përkrah rishikimin jam i bindur që kemi bo mirë sepse nuk ka mundur të ecet tutje me zbatimin e asaj pako pa krijimin e bazës legale”, tha Hamza.

Sipas tij Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është ligj që përmban shumë gjëra të mira siç është përkrahja e qytetarëve, përkrahja e bizneseve, të punësuarit në sektorin privat, fondi për garantimin e kredive, përkrahja e sektorit të gastronomisë, etj.

Bazuar në situatën shëndetësore, ekonomike e politike të vendit Hamza tha se PDK i ka propozuar amendamentet, i kanë harmonizuar dhe se do ta japin votën pozitive.