Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hamza: Pagat në sektorin publik do të rriten 50 %, asnjë pension nën 200 euro
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur konventën në mbështetje të kandidatit për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamzës, të shtunën më 02.11.2024.
Sipas komunikatës, kandidati për kryeministër të Kosovës nga kjo parti, Bedri Hamza ka prezentuar platformën e tij, e cila sipas tyre, do t’i përmbushë pesë qëllime:zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes investimeve në arsim, përmirësimin e sistemit shëndetësor, raportet e mira me aleatët, duke synuar anëtarësimin në OKB dhe integrimin e përshpejtuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, me lidhje të forta me pjesët e tjera të kombit shqiptar.
Siç njofton komunikata e PDK-së, Hamza ka premtuar rritje të pagave në sektorin publik prej 50% për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrëfikësit, ushtarët, policët, gjersa sipas komunikatës, Hamza është zotuar se gjatë qeverisjes së tij, nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro.
“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50% për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrëfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30%. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro”- citohet të ketë thënë Hamza.
Komunikata tutje thotë se Hamza ka treguar se do të ofrojë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private, duke siguruar kështu mundësi më të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve.
Hamza, thuhet se ka shpalosur sloganin e fushatës për zgjedhjet që priten të mbahen më 09.02.2025, i cili është “Kosova mundet ma mirë”.
“Nëse ka një mesazh që dua ta merrni të gjithë ju nga kjo konventë, është bindja jonë se Kosova mundet ma mirë. Ky është edhe slogani i fushatës sonë “Kosova mundet ma mirë”. Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë. Ndërsa, unë si kryeministër, ju siguroj se do ta bëj këtë”, tha Hamza.
Tutje, siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar për media, Hamza ka ftuar qytetarët që ta mbështesin në këto zgjedhje.
Ndërkaq, sipas kryetarit të kësaj partie, Memli Krasniqit, Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë Kosova pasi sipas, tij ai është lider i dëshmuar.
“Nuk kam dyshim aspak se Bedri Hamza do të udhëheq me ndershmëri, integritet dhe përkushtim, për çka Kosova sot ka nevojë më shumë se kurdoherë”- ka thënë Krasniqi.
Në një komunikatë të PDK-së të lëshuar, sot më 02.11.2024 thuhet se Krasniqi gjatë fjalës së tij në konventë, ka përmendur edhe dy ish-udhëheqësit e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
“Kemi pasur fatin e madh që përgjatë viteve, në krye të kemi dy personalitete, të cilët gjithmonë kanë qenë të hapur e të guximshëm që ndryshimin e nevojshëm, ta nisin duke filluar nga vetja. E, duke e bërë veten më të mirë, këta dy e kanë bërë partinë më të mirë, e kanë bërë Kosovën më të mirë. Kjo, para se gjithash, tregon se PDK-ja nuk është një parti rigjide dhe e palëvizshme, por një parti që ndryshon dhe i adaptohet sfidave dhe kërkesave të kohës. Prandaj, sonte, këtu, të gjithë së bashku, i nderojmë udhëheqësit, liderët e shtetit dhe të partisë tonë, Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli”- citohet të ketë thënë Krasniqi në konventën e PDK-së.