Foto: Bedri Hamza / Facebook

Hamza në Prizren premton rimëkëmbjen e sheshit, hapje të rrugëve e rezerva të ujit

Partia Demokratike e Kosovës më 06.02.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Prizren.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se do të angazhohen për rimëkëmbjen e sheshit “Shatërvan”.

Ai ka premtuar edhe rregullimin e unazës së qytetit, për lidhjen e autostradës dhe hapjen e rrugës së re tranzitore.

“Është nder e kënaqësi të jem në qytetin e bukur të Prizrenit, qytet jo vetëm i historisë, por edhe i bashkimit për liri, për barazi, për përparim e për integrim. Mbi këto parime e kam ndërtuar edhe vizionin tim për Kosovën dhe me këto parime do të qeveris si Kryeministri Juaj. Do të angazhohemi për rimëkëmbjen e sheshit “Shatërvan”. Për rregullimin e unazës së qytetit, për lidhjen e autostradës dhe hapjen e rrugës së re tranzitore. Do të punojmë të sigurojmë rezerva të mjaftueshme të ujit, që qyteti mos ta ketë më këtë shqetësim për dekadat e ardhshme”- ka thënë Hamza.

“Do të punojmë për çdo qytetar, për tërë Kosovën. Ky nuk është vetëm një plan. Ky është premtimi që do ta mbajmë”- ka thënë Hamza.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.