Hamza në Dragash: Fitorja është në duart tona

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sot, më 20.01.2025, ka vazhduar fushtaën e tij elektorale për zgjedhjet që priten të mbahen më 09.02.2025 në komunën e Dragashit. 

Hamza ka premtuar se Dragashin do ta bëjnë më atraktiv me investime që do t’i bëjë gjatë qeverisjes së tij. 

“Në Dragashin e bukur. Në Dragashin e njerëzve punëtorë. Një destinacion i mrekullueshëm turistik, të cilin do ta bëjmë edhe më atraktiv me investimet e qeverisë sime. E ardhmja është në duart tona! Fitorja është në duart tona! Ne do të vendosim vetë për fatin tonë”- ka shkruar Hamza. 

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.