Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hamza: Ligjin mbi ndarjet buxhetore 2021 e karakterizon diskrepanca mes programit qeverisës dhe buxhetit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Bedri Hamza, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Projektligji për ndryshim – plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, e karakterizon diskrepanca mes programit të qeverisë dhe buxhetit.

Sipas Hamzës, premtimet e shkruara dhe prezantuara në programin e qeverisë i cili është diskutuar në këtë Kuvend nuk janë të reflektuara në buxhet.

“Çdo premtim, e projekt të cilit i mungon konstruksioni financiar, ai mbetet i parealizuar të paktën për vitin 2021. Nuk do të ketë rritje të pagave, nuk do të ketë rritje të pensioneve, nuk do të ketë fillim të implementimit të numrit të konsiderueshëm të fondeve që janë mbi dhjetëra fonde të propozuara dhe prezantuara në programin e qeverisë”, tha Hamza.

Ai shtoi se ka mosreflektim të ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Qeveria dhe shumica mundet mos mu pajtu, por deri sa është në fuqi është detyrim i ligjit. Ose duhet me plotësu atë ligj, ose duhet me ndryshu”, tha ai.

Hamza tha se asnjë amandament i asnjë deputeti të opozitës nuk pranohet.

“Po flitet për rritje ekonomike. Por duhet me u bo dallimi a është rritje ekonomike, apo rritje ekonomike e qëndrueshme, nga po vjen ajo rritje?. Nëse vjen prej rritjes së borxhit publik, unë me përgjegjësi e them se nuk është rritje ekonomike e qëndrueshme”, shtoi Hamza.

Ai tha se është shqetësuese nëse vazhdon rritja e borxhit publik siç është prezantuar. Hamza i tha kryeministrit Albin Kurti që nëse vazhdon kështu, do të identifikohet si qeveria që e ka rrit borxhin publik më së shumti.