Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hamza - Kurtit: Kah po i merr këto pare?

Deputeti i PDK-së, Bedri Hazma, në seancën që po mbahet për votimin e Qeverisë Kurti 2, kritikoi plan-programin e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti.

Hamza iu drejtua Kurtit me një pyetje: “Kah po i merr këto pare?”.

“Vetëm shpërndarje të parave u përmend, por kah po i merr këto pare? Nuk pashë ndonjë ide se ka do të vjen kjo rritje ekonomike, asnjë fjalë për sektorin privat”, tha Hamza.

Ai po ashtu i tha Kurtit që të ketë kujdes me vendimet dhe veprimet e tij siç i cilësoi ai ‘populliste’.

“Z. Kurti, kujdes prej presedanti, prej efektit domino, një veprim, një ligj, një vendim që mund të jetë popullist dhe i pranueshëm mund të ketë efekt domino por edhe për Kosovën”, tha Hamza më tej.

Sot është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota, kurse tashmë pritet që të votohet Qeveria Kurti 2.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.