Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hamza, inkurajon ata që preken nga vendimet për shkarkim që t’i përdorin të drejtat ligjore

Bedrin Hamza, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se komisionet janë shëndrru në komisione hetimore dhe ky Kuvend sipas tij fatkeqësisht po shndërrohet në gjykatë.

“Komisionet e kuvendit kanë deviju prej përshkrimit të vendit të vet të punës dhe janë shëndrru në komisione hetimore jashtë rregullores së punës së Kuvendit. Ky Kuvend po e merr rolin e gjykatës”, tha ai.

Hamza këto deklarata i ka dhënë gjatë shqyrtimit të rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Hamza tha se është e pa pranueshme me thënë që një institucion siç është RTK nuk ka pas auditim.

“Ka dallim të raportit financiar dhe raportit të performancës. Nuk jam t`i mbroj shkeljet ligjore të askujt, asnjë obligim se kemi ndaj askujt. Nuk e mbroj mungesën e performancës të asnjë institucioni asnjë anëtari, asnjë Bordi. Shkarkoni me një vendim të gjitha bordet, mos e lodhni kuvendin, le të mendojnë edhe ata që po i bëjnë këto veprime që munden me u përball me përgjegjësi ligjore. Unë i inkurajoj gjithë ata që  janë të ndikuar nga këto vendime ta përdorin të drejtën e tyre ligjore. Unë sot kam prit që prej shumicës me pa edhe propozime se si ka m`u bo ligji për RTK-në”, tha Hamza.

Edhe Agim Veliu, deputet i LDK-së, i ka ftuar që të ndalen sipas tij dënimet kolektive.

“Ju bëjë thirrje të ndalini dënimet kolektive dhe të respektoni institucionet e pavarura sepse në fund as RTK nuk do të shërbej asgjë sepse ka shumë metoda alternative për të ardh te e vërteta e cila ka 3 muaj a më shumë që po ju pengon”, tha Veliu.