Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hamza i përgjigjet Kurtit kur tha se "të tjerët janë bërë bashkë kundër Vetëvendosjes"

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk kishte një marrëveshje në balotazh as në Prishtinë e as në Prizren.

Ai, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar edhe deklarimet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se rezultati i dobët në zgjedhje lokale erdhi pas “bashkimit të gjithë të tjerëve kundër Vetëvendosjes”.

“Po, ka një kontradiktë, më herët është thënë që “bëhuni të gjithë bashkë e hajdeni të ju mujmë”, tash “jeni bërë të gjithë bashkë e po më mundni”. Pastaj, nuk është moti që në shumë komuna ka fituar me përkrahjen e të tjerëve”, tha Bedri Hamza.

“Edhe Prizrenin e ka fituar me përkrahjen e të tjerëve, edhe Prishtinën z. Ahmeti nuk e ka fituar pa përkrahjen e të tjerëve kur ka garuar me z. Mustafa. Këto janë kalkulime politike që ndodhin”, deklaroi kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut.

Sipas tij, marrveshjet në balotazh nuk funksionojnë gjithherë.

“Marrëveshjet në balotazh mendoj që nuk funksionojnë gjithmonë. Unë vetë jam kryetar dege por nuk guxoj me garantu që një kërkesë e imja komplet elektoratin mund ta zhvendosë dikah. Nuk ka pasur marrëveshje as në Prizren as në Prishtinë”, tha ai.

“Ka pasur përkrahje edhe për z. Totaj, përtej partnerëve edhe për z. Rama. Por ka pasur, nëse e marrim matematikisht, sepse tekefundit këto janë shifra dhe numra, ka pasur përkrahje edhe për z. Totaj edhe për z. Rama”, deklaroi ai.