Foto: KALLXO.com

Hamza: Gara me vetëm një kandidat për kryetar, mund të jetë demokratike

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka deklaruar se gara për kryetar të partisë mund të jetë demokratike edhe me vetëm një kandidat.

PDK-ja të shtunën më 3 korrik do të mbajë konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kandidat i vetëm për këtë pozitë, deri më tash, është Memli Krasniqi.

“Gara edhe me një kandidat mund të jetë garë demokratike. Qysh? Konventa duhet me pas kuorumin për t’u plotësu kushtet për t’u votuar një kandidat dhe mund të vendoset se si do të shkohet, a do të shkohet me vota të hapura apo me proces të mbyllur votues”, tha Hamza duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com, nëse një garë me vetëm një kandidat, plotëson kriterin demokatik politik.

“Ka mundësi që nëse s’ka vullnet me u zgjedh një kandidat i cili është i nominuar, i cili ka dhënë kandidaturën e vet, ka procedura që munden mos me qenë përkrahëse, pro ne jemi të bindur se është parë atmosferë te delegatët e Konventës se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi ai.

Ish-kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj dje ka deklaruar se nuk do të kandidojë për kryetar të PDK-së.

Në lidhje me këtë, Hamza ka thënë se nuk ka pasur ndikim te Hoxhaj që të mos kandidojë.

“Asnjë ndikim, pjesa e madhe e jona, që jemi nga ditët e para, kemi përvojë të mjaftueshme edhe politike që vendimet tona me i marr të pandikuara nga askush. Nuk ka pasur ndikime, gara ka qenë e hapur”, tha Hamza.