Hamza e quan Obiliqin zemër energjetike: Ky qytet që i jep shumë Kosovës, meriton ma mirë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim me qytetarët e Obiliqit. Hamza e ka quajtur këtë qytet si zemër energjetike të Kosovës.

Ai ka thënë se në Obiliq ditë e natë punohet për t’i dhënë dritë dhe ngrohje krejt vendit.

“Në Obiliq, në zemrën energjetike të Kosovës, aty ku ditë e natë punohet për t’i dhënë dritë dhe ngrohje krejt vendit tonë. Ky qytet që i jep shumë Kosovës, meriton ma mirë”- ka shkruar ai.

Hamza gjatë ditës ka zhvilluar vizita edhe në bizneset e qytetit të Klinës. Ai ka thënë se bizneset gjithandej Kosovës do ta kenë mbështetjen e qeverisë së tij.

“Bizneset me qarkullim deri në 10 mijë euro nuk do të tatohen. Ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen sipas fitimit real, pas zbritjeve të lejuara. Secili ndërmarrës do ta ndjejë dorën e shtetit dhe me grante investive deri në 30% do t’i mbulojmë investimet e tyre”- ka thënë ai.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.