Hamilton triumfon në garën e Hungarisë, barazon rekordin e Schumacher

Lewis Hamilton ka triumfuar në garën për çmimin e madh të Hungarisë, duke e çuar në 8 numrin e garave të fituara në pistën e Hungarisë dhe duke barazuar rekordin e Michael Schumacher.

Hamilton ka udhëhequr të gjithë garën pa u shqetësuar nga ndjekësit e tij.

Kur kishin mbetur disa xhiro nga fundi, diferenca mes Hamiltonit dhe ndjekësit të tij më të afërt, Max Vertappen, kishte shkuar në 26 sekonda dhe po ashtu kishte arritur të dublojë të gjithë pilotët deri në vendin e katërt.

Kjo i siguroi komoditetin për të hyrë në bokset e Mercedezit për të ndërruar gomat për herë të tretë me radhë. Gomat e reja i mundësuan anglezit që të regjistrojë xhiron më të shpejtë në këtë garë dhe po ashtu të thyejë rekordin e xhiros më të shpejtë në pistën e Hungarisë.

Përveç 25 pikëve si piloti që kaloi i pari vijën e finishit, Hamilton mori edhe pikën e 26 për xhiron më të shpejtë.

Pas Hamiltonit u radhit Max Verstappen, i cili këtë garë e kishte nisur nga pozita e 7-të.

Vendin e tretë në podium e ka fituar finlandezi Valteri Bottas, i cili e filloi garën në krah të Hamiltonit, në pozitën e dytë por që në fillim pati disa probleme.

Gara e Hungarisë ka qenë gara e tretë e këtij sezoni pas dy garave të para që janë zhvilluar në Austri. E para është fituar nga Bottas ndërsa e dyta nga Hamilton.

Edhe në këtë garë kanë dëshpëruar pilotët e Ferrarit. Vetel ka arritur ta mbyll garën i 6-i ndërsa Leclerc nuk ka arritur të futet në listën prej 10 pilotëve të parë që marrin pikë, duke u renditur i 11-i.

Tashmë Hamilton kryeson kampionatin me 63 pikë të tubuara, i ndjekur nga Bottas me 58 pikë kurse i treti radhitet Verstappen me me 33 pikë.

Gara e ardhshme do të zhvillohet pas dy javësh në çmimin e madh të Britanisë së Madhe në pistën e Silverstone.