Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Hamide Magashi kishte raportuar se ishte kërcënuar edhe me armë, bastisja në shtëpi u krye 23 ditë më vonë

Më 6 korrik të këtij viti, Hamide Magashi kishte raportuar në Polici se nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, po ushtrohej dhunë psikike. Me të ajo nuk kishte kurorëzim.

Në kallëzimin penal që ka siguruar KALLXO.com përmendet fakti se viktima ishte intervistuar nga hetuesit policorë para të cilëve ajo kishte treguar se Sokol Halili disa herë e kishte kërcënuar me armë.

Më këto pretendime ishte përballur gjatë intervistimit edhe Sokol Halili, i cili kishte mohuar se posedon armë zjarri pa leje.

“Viktima është intervistuar në prezencë të punëtorit të QPS, e cila fillimisht kishte deklaruar se i dyshuari vazhdimisht e ka dhunuar psikikisht duke i thënë se do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj marrëdhënie në prezencën tënde, njëherit ankuesja deklaron se deri sa ishte në marrëdhënie pune pagën gjithmonë ja ka dorëzuar të dyshuarit, bashkëshortit të saj të cilin e kishte pa kurorë si dhe ja ka paguar gjobat për kundërvajtje”- thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Tutje KALLXO.com mëson se urdhri për bastisje nuk ishte bërë nga prokurori që e kishte marrë në trajtim rastin në ditën kur ishte raportuar rasti nga Hamide Magashi.

Kërkesën për bastisje e ka bërë Policia Rajonale e Ferizajt më 7 korrik, një ditë pas marrjes në intervistë të viktimës dhe kërkesën ia ka dorëzuar Prokurorisë së Ferizajt, më saktësisht Departamentit për Krime të Rënda.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com nuk përmendet data se kur është dorëzuar kërksa në Gjykatën e Ferizajt, por ajo që vërehet është se urdhri ishte lëshuar për bastisje më 29 korrik 2022, 23 ditë më vonë se kur ishte marrë informacioni për armët.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse më saktësisht në dhomën e fjetjes në katin e dytë kemi gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie për të cilin nuk posedonte asnjë dokument mirëpo gjatë verifikimin në data bazën për armë në Shtime del se prindi i të dyshuarit (Sokol Halilit) kishte ri- aplikuar për vazhdimin e lejes për armë”- thuhet në dokument.

Tutje përmendet se edhe një armë tjetër ishte gjetur e që ishte e të dyshuarit Sokol Halili.

“Ndërsa në oborr kemi gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz me karikator të zbrazët, armë kjo e fshehur në një filtër ajri të mjeteve transportuese”- vazhdon të thuhet në dokument.

KALLXO.com po raporton në vazhdimësi detaje të reja që dalin nga rasti i vrasjes së Hamide Magashit, 35-vjeçarja që u vra në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e kaluar.

Me të gjitha pretendimet për Sokol Halilin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e tij, Behar Sejda, por ai nuk pranoi të flasë për rastet e klientit të tij.

“Me gjithë respektin nuk kam autorizim nga klienti të flas për rastet”- tha shkurt Sejda për KALLXO.com.