Foto: KALLXO.com

Hamide Magashi kishte raportuar në hetuesi se obligohej që burrit t'ia dorëzonte pagën dhe t'ia paguante gjobat e trafikut

Pagat e realizuara nga puna në Komunën e Ferizajt, Hamide Magashi kishte deklaruar se detyrohej t’ia dorëzonte çdo muaj bashkëshortit.

Madje, Magashi, e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së, në hetuesi kishte deklaruar se detyrohej që burrit t’i paguante edhe gjobat për kundërvajtjet në trafik.

Kështu përshkruhet në dosjen hetimore, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Në këtë dosje, viktima kishte deklaruar se edhe se çdo vizitë të bërë në familjen e saj kishte qenë e shoqëruar nga vjehrra dhe e vëzhguar nga bashkëshorti.

Përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë, dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte pasur.

Madje Magashi kishte raportuar se nga burri kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën e saj në praninë e saj.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.

Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili. Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro.

Përpos akuzës për armbëtjeje pa leje, në gusht të këtij viti Sokol Halili ishte akuzuar edhe për veprën penale – kanosjes, ku rasti është duke u trajtuar.

Hamide Magashi u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili  pasi kreu krimin u largua në drejtim të panjohur.