Hamasi fajëson Izraelin për vrasjen e liderit Haniyeh
“Hamasi” ka njoftuare se lideri i saj, Ismail Haniyeh, është vrarë në rezidencën e tij në Teheran, shkruan BBC. Grupi fajëson Izraelin për sulmin – Izraeli ende nuk u është përgjigjur akuzave të grupit militant palestinez, edhe pse më parë ishte zotuar se do të eliminonte liderët e “Hamasit”.
Vrasja e Haniyeh ka ndodhur disa orë pasi Izraeli njoftoi se kishte vrarë një komandant të lartë të “Hezbollahut” në një sulm ajror në kryeqytetin libanez, Bejrut. Vrasja e dy zyrtarëve të lartë të grupeve militante, të mbështetura nga Irani, në harkun kohor prej 24 orësh ka ngritur shqetësimin se mund të ketë përshkallëzim të konfliktit në rajon.
Haniyeh, i cili ishte nga Gaza por kishte vite të tëra që jetonte në Katar – ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit. Vrasja e tij është kryer prej një rakete të komanduar në rezidencën private të Haniyeh, kanë bërë të ditur burime për mediumi saudit, “Al Hadath”, raporton BBC. Mediumi lokal raporton se raketa ka goditur cakun rreth orës dy të mëngjesit, sipas kohës lokale.
Agjencia iraniane e lajmeve, “Fars”, e afërt me gardën revolucionare të Iranit, gjithashtu ka bërë të ditur se Haniyeh ndodhej në një rezidencë për veteranët në Teheran dhe se ishte vrarë prej “projektili nga ajri”.
“Hezbollahu” ndërkaq ka lëshuar një komunikatë, duke njoftuar se “një numër qytetarësh” janë vrarë prej sulmit izraelit, dhe se ishte shkaktuar “dëm i madh”. Grupi konfirmon se Shukr ndodhej në ndërtesë, duke theksuar: “Lideri i madh xhihadist, vëllai Sayyid Fuad Shukr (Haj Mohsen) ndodhej atëherë në ndërtesë”.
Por “Hezbollahu” thotë se po punon “me vendosmëri për të pastruar gërmadhat”, dhe se ende nuk dinë “për fatin e liderit të madh”./BBC
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com