"Hamasi” do të ngrihet “si feniks nga hiri”, thotë lideri i tij për Reuters

Lideri i “Hamasit” në ekzil, Khaled Meshaal, ka thënë se grupi palestinez do të ngrihet “si feniks” nga hiri pavarësisht humbjeve gjatë një viti lufte me Izraelin, ngase po vazhdon të rekrutojë luftëtarë dhe po prodhon armë, raporton Reuters.

Një vit pas sulmit të “Hamasit” që shkaktoi luftën, Meshaal ka thënë se konflikti me Izraelin është pjesë e narracionit më të gjerë të lidhur me historinë e 76 viteve të kaluara, qysh në kohën e asaj që palestinezët e quajnë “Nakhba”, apo “katastrofa”, kur ata u zhvendosën gjatë luftës së vitit 1948 që u shoqërua me krijimin e shtetit të Izraelit.

“Historia palestineze është bërë prej cikleve”, ka thënë Meshaal, 68 vjeç në një intervistë për Reutersin.

“Ne kalojmë nëpër faza ku humbim martirë(viktima) dhe humbim pjesët tonë të kapaciteteve ushtarake, por pastaj shpirti palestinez ngrihet përsëri, si feniks, falë Zotit”.

Meshaal, i cili mbijetoi përpjekjen për vrasje më 1997 pasi ishte injektuar me helm dhe ishte lider i përgjithshëm i “Hamasit” prej vitit 1996 deri më 2017, ka thënë se grupi militant islamik është ende i aftë të organizojë pusi kundër trupave izraelite.

“Hamasi” ka hedhur raketa drejt Gazës të hënën e 7 tetorit në mëngjes, në përvjetorin e sulmit të “Hamasit” në Izraelin jugor që shkaktoi luftën. Të gjitha raketat janë neutralizuar.

Meshaal vazhdon të ketë ndikim pasi ka pasur rol qenësor në lidershipin e tij për pothuajse tri dekada dhe shihet gjerësisht si përfaqësues diplomatik i grupit. Analistët thonë se deklaratat e tij tregojnë se “Hamasi” do ta vazhdojë luftën pavarësisht humbjeve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com