Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

‘Hallakama’ me pozitën e Sekretarit të Universitetit të Prishtinës

Tri institucione nuk po mund t’i japin zgjidhje pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit më të madh publik në vend, atë të Prishtinës.

Tash e disa muaj, vazhdimi ose jo i mandatit të ish-sekretarit, aktualisht Ushtrues Detyre i Sekretarit, Esat Kelmendi, ka kaluar në duar të Këshillit Drejtues të UP-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme e deri tek Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

E gjithë historia ka filluar kur rektori i UP-së, Naser Sahiti e emëroi si U. D. ish-sekretarin që kjo pozitë të mos mbetej vakante dhe kërkoi interpretim ligjor në Ministri të Punëve të Brendshme nëse mund t’i vazhdohet mandati Esat Kelmendit.

Pas kësaj, më 8 nëntor 2021, MPB kishte lëshuar dy interpretime ligjore në të njëjtën ditë, por me interpretime të kundërta me njëra-tjetrën për vazhdimin ose jo të mandatit të sekretarit.

Në njërin opinion kishin thënë që t’i vazhdohet mandati, kurse në tjetrin se nuk ka bazë ligjore për vazhdim të mandatit.

E organi vendimmarrës i UP-së, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, nuk po mund të marrë një vendim në drejtim të kësaj çështje, për shkak të paqartësive të krijuara që nga nëntori.

Situata aktuale ka ndryshuar, pasi MPB në dhjetor kishte sqaruar se KD i UP-së duhet ta marrë për bazë mendimin e tyre këshillimor, që thuhet se nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit të sekretarit.

Pas kësaj situate, rektori i UP-së Naser Sahiti ka ‘shfrytëzuar’ edhe një alternativë tjetër për të marrë mendim juridik nëse duhet t’i vazhdohet mandati sekretarit të UP-së, tashmë U.D. i sekretarit, Esat Kelmendi.

Ai më 14 janar ka kërkuar mendim juridik edhe nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërsa, mbledhja e planifikuar e Këshillit Drejtues për zgjidhjen e kësaj çështje është shtyrë, duke i paraprirë edhe disa mbledhjeve të tjera që nuk ka pasur vendimmarrje për vazhdimin e mandatit të sekretarit të UP-së.

‘Amaneti’ i tretë i MPB-së

Ministria e Punëve të Brendshme më 17 dhjetor të vitit 2021, i kishte sqaruar Këshillit Drejtues që ta marrë për bazë mendimin këshillimor të MPB-së, që thuhej se ‘nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit’ të sekretarit të UP-së.

“Meqë Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Pubik, sipas nenit 11.1.10 të Ligjit për Zyrtarët Publik ‘mbështetet dhe siguron këshillimin e institucioneve për zbatimin e këtij ligji’, mendimi këshillimor ka epërsi në raport me opinionin ligjor të datës 08.11.2021”, thuhet në përgjigjen e MPB për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të cilit kishin kërkuar sqarim se cilin opinion duhet ta marrin për bazë.

Kjo përgjigje i paraprinë dy interpretimeve që ishin lëshuar nga kjo ministri. Në njërin opinion ligjor thuhej se Esat Kelmendit mund t’i vazhdohet kontrata për një periudhë të pacaktuar kohore duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik.

Kurse, mendimi këshillimor, të cilën tash MPB thotë se duhet ta zbatojë KD i UP-së kishte konstatuar se “me mbarimin e mandatit të nëpunësve të shërbimit publik, nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit”.

Ky është sqarimi i MPB-së siguruar nga KALLXO.com:

Përfshirja e ‘panevojshme’ e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Që nga marrja e këtij sqarimi, Këshilli Drejtues i UP-së ka mbajtur një mbledhje javën e kaluar më 13 janar, por që u mbyllë pa vendimmarrje.

Një ditë pas kësaj mbledhje, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti më 14 janar kërkoi edhe një mendim ligjor nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK), për bazën ligjore rreth çështjes së vazhdimit të kontratës të Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës.

Më 18 janar, KPMShCK-ja i përgjigjet shkresës së rektorit, të siguruar nga KALLXO.com, duke thënë se pozita e Sekretarit të UP-së, sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, klasifikohet si pozitë e nivelit të lartë drejtues.

“Duke marrë parasysh së Këshilli është institucion i pavarur që siguron respektimin e rregullave  dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, përmes kësaj shkrese ofroi sqarime rreth statusit të pozitës përkatëse, mirëpo meqenëse kjo pozitë sipas vlerësimit tonë nuk hynë në kuadër të të pozitave të shërbimit civil, siç përcaktohet me nenin 2 paragrafi 3 të Ligjit për Zyrtarët Publik…”, thuhet në sqarim.

“Ju njoftojmë se Këshilli nuk është kompetent për trajtimin e çështjeve të cilat ju referohen nëpunësve të shërbimit publik, gjegjësisht nëpunësve të cilët nuk i nënshtrohen regjimit juridik të legjislacionit për shërbimin civil të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk mund të ofrojmë mendim juridik lidhur me kërkesën tuaj specifike”, thuhet më tej në këtë shkresë të siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com më 8 nëntor kishte raportuar se rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, e ka emëruar si ushtrues detyre sekretarin e këtij universiteti, Esat Kelmendi, pa e njoftuar zyrtarisht Këshillin Drejtues të UP-së.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor dhe rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet e zbrazët e emëroi si U.D. Esat Kelmendin.

Në anën tjetër, Ligji për Shërbimin Civil të Kosovës, neni 15 tek emërimi në pozita të larta drejtuese thotë se “Sekretarët e përgjithshëm dhe pozicionet e barasvlershme me ta zgjidhen nga një listë e nëpunësve civilë të klasifikuar në pozitat e larta drejtuese dhe pozitat drejtuese sipas rregullave për klasifikimin e pozitave të përcaktuara nga ky ligj, ose në pozita të tjera të barasvlefshme në institucionet e administratës publike ose kompanitë publike dhe private, të cilët janë kandidatë për pozitën përkatëse, e cila përpilohet në bazë të aplikacioneve të pranuara pas shpalljes së një konkursi publik”.

Kurse, sipas statutit të UP-së, neni 39, specifikon se sekretari i UP-së zgjidhet në bazë të konkursit publik.

“Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik”, thuhet në këtë nen.

Pozita e Sekretarit të UP-së, Këshilli Drejtues ende pa vendimmarrje

.