Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haliti: Ata që tentuan të më përfshijnë në rastin e dhunimit të vajzës së mitur do t'i padis

Kandidati Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë në Debat Perime se në lidhje me rastin dyshimit për dhunimin e një vajze të mitur në Viti është deklaruar njëherë si kryetar i komunës, ndërsa rreth tentimit të përfshirjes së tij në rast dhe drejtimit të rastit në aspektin politik Haliti ka thënë se tashmë e ka gati padinë.

“Unë e kam dhënë komentin tim si kryetar aktual por edhe si njeri. Informacioni ka dalë në disa media e po ashtu edhe një konferencë nga personi që e përmendët. Ka qenë një akuzë e papranueshme për mua sepse nuk ka pasur asgjë politike, nuk ka dhe as që duhet të ketë. Unë jam interesuar në shkollë e më gjerë. Në shkollë, vajza nuk ka pasur vijueshmëri. I apostrofuari ka qenë i intervistuar nga policia rajonale. Unë jam apostrofuar si parti politike e si kandidat, mua më është thënë që familja e vajzës ka drejtuar gishtin nga personi i përmendur. Duhet të merren organet e drejtësisë me këtë rast. Ju ftoj edhe juve. Unë nuk bëj me gisht nga askush e as nuk do të bëj asnjëherë sepse merren organet e pavarura me këtë rast pas diagnostikimit të rastit”, ka deklaruar Haliti.

“Unë kam me i paditë të gjithë ata që më kanë apostrofuar mua. Paditë i kam gati dhe së shpejti shihemi në gjykatë”, ka theksuar ai më tej gjatë debatit.

Prokuroria në Gjilan, sot ka konfirmuar për KALLXO.com se ka marrë aktvendim për mbyllje të rastit për dhunim ndaj zyrtarit të LVV. Kjo prokurori në anën tjetër ka autorizuar policinë për të hetuar mesazhet e publikuara në rrjete sociale në lidhje me të njëjtën çështje.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Viti, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti ka marrë 41,30% të votave, kurse Arsim Ademi nga LVV ka siguruar 34,50%.