Halimi: LVV merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje për qytetarët

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po merret me propagandë në vend se të ofrojë zgjidhjet për problemet e qytetarëve, pas një video-materiali që ka publikuar një ditë më herët LVV-ja, duke kritikuar sërish pushtetet e kaluara.

Ajo ka thënë se LVV i kthehet të kaluarës për t’u ikur përgjegjësive.

“Në sfidat që po kalojmë partia në pushtet merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët. Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për ti ik përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse”- ka thënë ajo.

Sipas saj, gjatë qeverisjes Kurti ka pasur dështim në ekonomi, shëndetësi e arsim.

“Në dy vite në ekonomi ka pasur vetëm stagnim. Inflacion mbi 20 përqind, ndër me të lartit në Evropë, sot produktet ushqimore janë dyfishuar me shtrenjtë se vitin e kaluar. Propozimet e LDK-së për inflacionin janë hedhur poshtë të gjitha”- ka thënë ajo.

Sipas saj, e vetmja arritje e qeverisë janë importet nga Serbia. Ndërsa, ka thënë se janë 83 milionë euro pagesë për rrymën në veri.

Zëdhënësja e LDK-së, tutje ka thënë se stagnim ka edhe në politikën e jashtme.

“Regres e stagnim ka edhe në politikën e jashtme. Nuk ka ndodhur asnjë njohje gjatë dy viteve as anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ka pasur skandale të llojit të Martin Berishaj, huqje në Twitter dhe në fund letra komike e Sveçles dërguar Gjermanisë për të kërkuar lëvizje me pasaporta të skaduara”- ka thënë Halimi.

Ndërsa, ajo ka shtuar se nga 160 çerdhe të premtuara, vetëm tri kanë nisur të ndërtohen.

“Lista e dështimeve është shume e gjatë. Kur flasim për Polici s’ka drejtor me muaj të terë. Kur flasim për drejtësi kemi vjedhje të provave në Institutin e Mjekësisë Ligjore”- ka thënë ajo.

“Kushërinjtë me sa duket nuk ishin vetëm për dasma ishin edhe për borde, ndërmarrje tjera publike e pozita tjera shtetërore”- është shprehur ajo.

Në anën tjetër, edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka folur për videon e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur këtë material “për keqardhje”

Të  martën, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video përmes së cilës promovon ato që i quan sukseset e Qeverisë Kurti, duke treguar se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”, duke “sulmuar” sërish pushtetet e kaluara.

Përmes kësaj video LVV thotë se nuk ka pasurim të politikanëve apo pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.