Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Halimi komenton raportin e Human Rights Watch: Institucionet shtetërore armiqësore me gazetarët

Sibel Halimi, zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës po e konsideron shqetësues raportin e ‘Human Rights Watch’ për Kosovën për vitin 2022.

Sipas saj, përveç sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit të gazetarëve, pushteti ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj gazetarëve.

“Vetëm për shtatë muaj, janë regjistruar 22 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit ndaj gazetarëve. Kërcënime kanë pasur edhe së fundmi në veri të vendit. Por fatkeqësisht, të tillat kanë ardhur edhe nga zyrtarë të lartë të pushtetit, me një gjuhë të urrejtjes, të papranueshme; dhe e cila cenon besimin e publikut në medie” – ka shkruar ajo.

Sipas zëdhënëses së LDK-së, ndaj kësaj gjuhe ka pasur reagim të dobët të organeve kompetente.

“Institucione shtetërore armiqësore me gazetarët, janë gjëja e fundit që i duhet vendit tonë” – ka shkruar ajo.

Tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë, janë disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW) përmendi në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë.

Raporti u publikua më 12 janar.

Në raportin e 33-të, HRW monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.

Te pjesa e Kosovës, në raport u trajtua edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit.

Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

HRW e citoi AGK-në të ketë thënë se hetimet penale për këto raste janë të ngadalshme.

HRW: Një vit plot tensione, kërcënime dhe shkelje të të drejtave të njeriut