Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Halimi: Bashkë me policët e suspenduar duhet të shkojë edhe eprori i tyre, ministri i Brendshëm

Zëdhënësja për media e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka thënë se ndonëse është lajm i mirë, nuk mjafton suspendimi i zyrtarëve policorë lidhur me rastin e për gruas shtatzënë që u vra në oborrin e QKUK-së.

Ajo ka thënë se duhet të largohet edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Bashkë me ta, duhet të shkojë edhe eprori i tyre, ministri i Brendshëm. Kjo duhet të ndodh së paku si akt moral, nëse jo për tjetër”- ka thënë ajo.

Tutje Halimi ka shtuar se gruaja e vrarë ishte në përkujdesjen e shtetit i cili sipas saj dështoi ta mbrojë atë.

“Gruaja që u privua nga jeta bashkë me foshnjën e saj, ishte e shtrirë në një institucion publik shëndetësor. Pra, ishte nën përkujdesjen e shtetit që dështoi ta mbronte atë. Ky dështim i pafalshëm dhe me pasoja fatale, nuk mund të kalojë me disa dorëheqje në fundin e zinxhirit komandues, pa ndodhur ato edhe në krye të tij”- ka shkruar Halimi në Facebook.

Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues policorë janë suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.

KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda policisë së dy hetuesit policor dyshohet se kishin plotësuar formularë kinse kanë bërë monitoruar dhe vëzhguar urdhërin mbrojtës të Hamide Magashit.

Por plotësimi i formularit ka ndodhur pasi Hamide Magashi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

KALLXO.com tutje mëson edhe se këto formularë janë shkruar nga hetuesit por nuk janë nënshkruar nga viktima pasi që kanë qenë të falsifikuara dhe të njëjtit asnjëherë nuk kanë qenë te e njëjta.

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H. për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe  Stacioni Policor Lipjan, i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.

Policët dyshohet se plotësuan formularët e mbikëqyrjes së urdhërit mbrojtës pas vrasjes së 35 vjeçares