Halili: Arkivat e "Rilindjes" ruheshin nëpër kontejnerë
Shkrimtarja dhe studiuesja Ervina Halili ka thënë se arkivat e shtëpisë botuese “Rilindja” në Kosovën e pasluftës ruheshin nëpër kontejnerë.
Duke folur në emisionin ‘Kallxo Përnime’ për punën e saj për mbledhjen dhe sistemimin e arkivës së “Rilindjes”, Halili ka thënë se gjatë punës së saj ka gjetur një magazinë të madhe në të cilën ruheshin gazetat e “Rilindjes” në një kontejner.
Halili ka bërë të ditur se pas luftës, ndërmarrja shoqërore “Rilindja” kaloi nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si pjesë e rezolutës 1244.
“Shumë gjëra AKP-ja nuk i ka vlerësuar si asete të rëndësishme kulturore të cilat kanë background të memories kolektive, por nuk ka pasur të drejtë me i shkatërru. Kështu që i ka futur nëpër magazina me vite e vite të tëra, edhe në vitin 2020 kemi hasur në një magazinë shumë të madhe, të cilën e kemi parë edhe një herë bashkë dhe mandej e kemi shpëtu. Ato materiale brenda asaj magazine të cilat kanë qenë kryesisht gazeta të “Rilindjes” në fund të ’80-ve dhe të pas luftës, nga viti 2000 deri në 2002. Të gjitha kanë qenë të ruajtura në një kontejner, të cilat i janë bartur arkivit të shtetit, me një bashkëpunim që arkivi është dashur të bëjë me AKP-në” – ka thënë Halili.
Tutje, ajo ka bërë të ditur se në vitin 2021 ka gjetur një tjetër magazinë të madhe, në të cilën ruheshin një numër i madh i librave, të cilët ishin shtypur para luftës në “Rilindje”.
“Qindra tituj, edhe këto i janë kthyer Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për arsye se ndonëse e kam nisur një arkiv kryesisht privat, prapë se prapë nuk kam mundësi me i mbajtë krejt ato ose me gjetë një magazinë private për me i mbajtë krejt ato që i kemi shpëtu prej magazinave” – ka bërë të ditur ajo.
Shkrimtarja Halili ka kritikuar qasjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke thënë se asetet e “Rilindjes” janë trajtuar vetëm si hapësira për privatizim, pa u përkujdesur për materialin brenda këtyre hapësirave.
“Duke qenë se këto përveç si ndërmarrje shoqërore, kanë pasur një ‘background’ historik e kulturor brenda, ata i kanë trajtuar të gjitha këto vetëm si asete apo hapësira për privatizim, pa e menduar mirë se çka do të ndodhë me materialin brenda” – ka thënë Halili.
Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po transmetohet debati ‘Arti në Luftë’. Të ftuar janë Ervina Halili, shkrimtare dhe studiuese; Yulia Hnat nga Fondi Emergjent për Artin në Ukrainë, Alex Fisher, historian i artit, Ermira Krasniqi nga iniciativa ‘Historia Gojore’ dhe Katerina Lakovlenko, kuratore nga Ukraina.