Haki Rugova për KALLXO.com: Nuk do ta rrënojmë burgun e Gurrakocit
Sot gjatë ditës ka pasur raportime në rrjetet sociale se Komuna e Istogut ka vendosur ta rrënojë burgun e Gurrakocit.
Njëri nga personat më të zëshëm kundër rrëzimit të burgut të Gurrakocit doli aktori Astrit Kabashi.
Kabashi përmes rrjeteve sociale deklaroi se burgu i Gurrakocit, si një burg i tmerrshëm i ish regjimit në të cilin janë maltretuar me mijëra qytetarë nuk duhet të rrënohet, por duhet të kthehet në muze.
“Ky është burgu i Gurrakocit, një burg i tmerrshëm i ish regjimit, në këtë burg janë burgosur e maltretuar me mijëra shqiptarë para dhe gjatë luftës, përfshi këtu edhe vëllai im dhe djali i axhës Burimi, e shumë qytetarë të komunës së Istogut! Komuna paska vendos me e rrënu, ky është një gabim i madh. Në Prishtinë nuk u rrënu burgu, por u kthye në muze, njëjtë duhet të ndodhë edhe me fatin e kësaj ndërtese! Nëse nuk dini çfarë të bëni, të paktën mos rrënoni! Mendoni më shumë për vende të reja të punës”, ka shkruar aktori Kabashi.
E menjëherë pas këtyre reagimeve KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova.
I pari i Komunës ka thënë se nuk do ta rrënoj burgun dhe se nuk e ka problem që ai të shndërrohet në muze, mirëpo e ka për detyrë që t`i largojë qytetarët që janë duke u strehuar në të.
“Aty janë t`u banu do njerëz, unë dua me i hekë këta njerëz prej atyhit, dua me e mbyllë, ajo ka qenë strehimore ilegale, po e shoh që do po kanë qejf me e mbajtë ashtu, e bëjmë edhe muze, mua me intereson me i hek njerëzit prej atyhit se është johumane me nejt aty dhe se edhe muze me e bo ai burg nuk o problem, qysh dojnë populli”, tha Rugova.
Ai deklarimet e qytetarëve për ta kthyer burgun në muze i quajti folklor patriotik.
“Ajo është folklor patriotizëm, është pallavër e qytetarëve, po unë qashtu kom me e majtë, veç dua me i hekë familjet prej atyhit se janë të rrezikume, e burgun le ta renovojë kush te dojë”, shtoi Rugova.
Muaj më parë KALLXO.com raportoi se Komuna e Istogut po përgatitej që ta rrënonte burgun e Gurrakocit, ku jetojnë disa skamnorë.
Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit Demë Çeta kishte thënë për KALLXO.com se këto familje do të shkojnë prej nga janë ardhë, sepse sipas tij shumica janë prej komunave të tjera.
Çeta hapat për rrënimin e burgut i kishte arsyetuar me nevojën për mënjanimin e rrezikut të shembjes.
Komuna e Istogut përgatitet ta rrënojë burgun e Gurrakocit, ku jetojnë disa skamnorë (VIDEO)