Jeta në Komunë, Istog. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haki Rugova deklarohet për shpenzimet në dreka dhe darka, gjatë të cilave janë pirë birra e raki

Komuna e Istogut gjatë vitit 2018 ka shpenzuar mbi 44 mijë euro në dreka dhe darka zyrtare.

Në bazë të të dhënave të oftuara nga Komuna del se rreth 22 mijë euro janë shpenzuar vetëm nga zyra e kryetarit Haki Rugova.

Në lidhje me këto shpenzime kryetari Rugova gjatë emisionit “Jeta në Komunë” ka deklaruar se nuk janë shumë dhe se ato parashihen me buxhet.

“Na kur e planifikojmë buxhetin i parashohim edhe drekat pasi kreytari i Komunës shpesh ka delegacione, veç me ja bo tash si kryeministri me i marrë sandviçat me veti”, ka thënë Rugova.

Ai shtoi se nuk po i duken shumë se secila drejtori e ka të drejtën me i shfrytëzu.

Përpos shpenzimeve në dreka dhe darka Komuna e Istogut ka paguar me para të buxhetit edhe 200 birra e mbi 40 gota raki.

Rugova gjatë emisionit ka folur edhe për shumë çështje të tjera të cilat kanë ndodhur gjatë këtij mandati.