Haki Abazi zyrtarisht kandidat për deputet nga radhët e AAK-së

Deputeti Haki Abazi edhe zyrtarisht ka bërë publike që do të jetë kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, në zgjedhjet qendrore të cilat do të mbahen me 9 shkurt 2025.

Kjo u bë e ditur përmes një konference për media, në të cilën morën pjesë vetë Abazi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

Gjatë fjalës së tij, Abazi tha se intergrimi në NATO për Kosovën është prioritet mbi prioritete dhe se energjia, sipas tij, e fokusimit në prioritetet që Kosova po ballafaqohet tani, është arsyeja që i është bashkuar AAK-së.

“Sigurisht që ky proces të cilin e formuloj dhe e parashtroj kryetari Haradinaj ka një prapashtresë, të një bashkëpunimi e diskutimi të përbashkët dhe fokusimit të atyre gjërave që na përbashkojnë AAK-në dhe mua si një politikan në Kosovë. Pikërisht që kjo energjia e fokusimit te ato gjëra që na përbashkojnë në konceptet tona qofshin ato ideologjike apo prioritet që duhet të ballafaqohet Kosova në fazën ku jemi. Kjo është arsyeja pse unë sot jam këtu. Integrimi në NATO është prioritet mbi prioritete për Kosovën” – tha Abazi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Abazin e njeh që nga paslufta dhe ka bashkëpunuar me të në Kuvendin e Kosovës, për tema të ndryshme.

“Për AAK-në është një ditë e veçantë, po ashtu porosi e veçantë edhe për Kosovën. Udhëtimi i bërjes së lirisë për popullin e Kosovës ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Në këtë rrugëtim shumë njerëz të zotë, patriot, intelektual kanë bërë pjesën e çmuar të tyre. Falë këtij angazhimi të gjithë këtyre njerëzve, e po ashtu të sakrificës sublime të atyre që u flijuan për liri, që përjetësisht jemi mirënjohës për sakrificën e tyre. Edhe sot vlenë e njëjta porosi, të gjithë ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të çmuar në mënyrë që Kosova t’i kalon vështirësitë” – tha Haradinaj.

“Kolegu që është me ne sot Haki Abazi, i takon këtyre njerëzve. Në shumë etapa të rrugëtimit tonë e ka bo pjesën e vet. Edhe unë jam dëshmitar i këtij angazhimi të Hakisë, të cilin e njoh që nga paslufta, në kontributin e tij në mbështetje të shoqërisë civile, të demokratizimit të vendit e të proceseve demokratike në vend”.

Abazi është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje para dy vjetësh për shkak të mospajtimeve me politikat që ndiqte kjo parti.

Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë zë kritik në Kuvendin e Kosovës, kundër Qeverisë Kurti.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmbanë 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 09.02.2025 është 209,878, sipas të dhënave të KQZ-së.