Haki Abazi - LVV

Haki Abazi: Vuçiq nuk meriton pritje nga Shqipëria

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka reaguar për vizitën të cilën presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pritet ta bëjë nesër në Tiranë për takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Abazit, Vuçiq nuk meriton pritje nga shteti shqiptar, pasi që ai mohon masakrat në Kosovë.

“Mohuesi i masakrës së Reçakut, mohuesi i dhunimeve sistematike në Kosovë dhe përkrahësi i gjenocidit e rehabilituesi i krimineleve të Hagës nuk meriton pritje nga shteti Shqiptar e aq më pak për të bërë pazare ne kurriz të Kosovës dhe interesit të shqiptarëve”, ka shkruar Abazi në facebook.

Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiq do të qëndroj në do të qëndrojë në Shqipëri më 20 e 21 dhjetor për takimin e rradhës të shteteve të Ballkanit Perendimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit pikërisht për shkak të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Liderët e tri vendeve ballkanike, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, në nëntor arritën ujdi rreth projektit për ‘mini-Schengenin’ ballkanik.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë nga Ohri kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Takimi i drejtuesve të këtyre vendeve po bëhet megjithëse nga Kosova i është bërë thirrje kryeministrit Edi Rama ta anulojë atë, sidomos pas deklaratave të presidentit serb, i cili e mohon masakrën e Reçakut të kryer nga forcat serbe më 1999.