Haki Abazi thotë se ndihet mirë që është deputet i pavarur dhe nuk i përket LVV-së

Deputeti Haki Abazi, në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, është shprehur i lumtur për epitetin ‘i pavarur’, pasi siç tha ai “s’kish dashtë me i taku një grupi parlamentar si LVV-ja”.

Ai deklaroi se kjo parti “ka bërë pazare të pista për të futur familjarë të tyre në punë”.

“Nuk di a më kish nejt më mirë emri i pavarur. Nuk kisha dashtë për asnjë sekond me i taku një Grupi parlamentar sikur që është ky [LVV], për të cilin kam thënë para dy viteve që bënë pazare të pista për me hapë pompa të benzinës, për me shti familjarë në punë, për me shti njerëz të afërt nëpër Gjykata Kushtetuese, për interesa të vogla për të cilat LVV ka kritiku pushtetet e kaluara. I ka prish punët me Haki Abazin, Eman Rrahmanin e Fisnik Korenicën e me të gjithë, për me shku me kërku vota prej Listës Serbe- prej Radoiçiqit”, – ka thënë Abazi.

Kusari- Lilën, ai e ka quajtur të ‘paturp’ që ka shkuar te varri i oficerit policor, Afrim Bunjaku.

“Ajo i ka pranuar në zyre ata që e kanë vra oficerin tonë policor, Bunjakun, dhe shkon pa turp te varri i tij me bo nderime- ky është turp. Nuk ka moral më të ulët e më të poshtër se kur përgatit skenar e jep tenderë kompanive kriminale të Radoiçiqit e në fund ju shkon familjarëve të policëve të vrarë atje”, – ka thënë Abazi.

Ai ka pretenduar se biseda e Kusari- Lilës me Radoiçiqin, është bërë në koordinim të plotë me kryeministrin, Albin Kurti.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e kishte marr përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Millan Radoiçiq akuzohet se ka siguruar para që nga 2017-ta e deri më 24 shtator 2023 për të blerë armatim të rëndë e për t’i paguar pjesëmarrësit e tjerë të grupit për kryerje të veprimtarisë kriminale.

Dosja e Prokurorisë Speciale e siguruar nga KALLXO.com sqaron se Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë.