Foto: KALLXO.com

Haki Abazi reagon pas publikimit të videos së sulmit ndaj tij

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet momenti i sulmit fizik ndaj tij nga kandidati i PSD-së për deputet, Dardan Molliqaj, dhe shoqëruesi i tij.

Më 11 shtator, Abazi ishte sulmuar fizikisht nga Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, menjëherë pas një debati parazgjedhor në televizionin T7.

Sonte “gazeta Sinjali” ka publikuar pamjet e incidentit.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, Haki Abazi u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që ta sqarojnë rastin.

Ai ka bërë thirrje për fushatë të qetë, debat civilizues dhe proces zgjedhor të lirë e demokratik.

Ky është reagimi i tij i plotë:

“Të dashur qytetarë,

Më vjen keq për shqetësimin që është shkaktuar nga video që është bërë sot publike mbi sulmin që është bërë pas emisionit në TV7 me 11 shtator. Pas këtij sulmi ashtu siq kam deklaruar edhe në natën që ka ndodhur ngjarja, unë kam respektuar procedurat dhe kam pritur policinë, kam deklaruar në vendin e ngjarjes, si dhe më pastaj jam deklaruar në stacionin e policisë në Fushë Kosovë.

Hapat dhe procedurat tjera i janë lënë në dorë institucioneve përgjegjëse që janë policia hetimore dhe Prokuroria e Kosovës dhe kështu do të mbetet deri në fund.

Është obligim i institucioneve që të veprohet që të sqarohet rasti dhe të parandalohet cfarëdo dhune në të ardhmen. Qytetarët e Kosovës meritojnë fushatë të qetë, debat civilizues dhe proces zgjedhor të lirë e demokratik.

I falënderojë të gjithë për përkrahjen e madhe dhe besimin në institucionet e drejtësisë.

Fitorja e thellë e Lëvizjes VETËVENDOSJES, mazhoranca që do të dalë nga këto zgjedhje me 6 tetor, e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE dhe Kryeministri Albin Kurti është përgjigjeja më e mirë dhe më e merituar për të gjithë ata që nuk e durojnë dijen, drejtësinë dhe forcën e bashkimit, rritjen dhe FITOREN e LËVIZJES VETËVENDOSJE!”.