Haki Abazi për situatën në veri: Kjo ka ardhur edhe si pasojë kornizimit të gabuar të dialogut

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, në një konferencën për media, teksa ka folur për zhvillimet e ditëve të fundit në veri ka thënë se deri tek kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e kornizmit të gabuar të dialogut mes dy vendeve.

Abazi ka thënë se është urgjente që Kosova t}i kthehet tavolinës se dizajnimit të politikës se jashtme.

“Alarmi që ngritet është çështja se sa e kemi lënduar marrëdhënien me aleatët ndërkombëtarë dhe pse na ka ardhur situata në këtë moment ku jemi tani. Kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë kornizimit të gabuar të dialogut. Që nga fillimi i mandatit kam ofruar përkrahjen time te kryeministri për marrëdhëniet me SHBA-në.  Është urgjente që t’i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve mirë të analizuara, unë jam i gatshëm për një angazhim të tillë” – ka thënë Abazi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tutje ka folur edhe për kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për krijimin e Asociacionit.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet për energjinë, targat e as marrëveshjet e tjera.

“Partnerët kanë kërkuar shtyje të marrëveshjes për targat dhe zbatim të marrëveshjes për asociacionin, siç thotë populli ujkun e kemi në torishtë tanimë e qartë kush e ka sjellë, kjo është bërë në kohë dhe rrethana të vështira dhe shumë të dyshimta nga ata që nuk janë në politikë. Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet për energjinë dhe targat as marrëveshjet tjera, por partnerët po kërkojnë që të kryhen obligimet e nënshkruara nga ana e Kosovës në mënyrë që Serbia të mos ketë hapësirë” – ka thënë tutje ai.

Abazi largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës e ka quajtur “kartë të Serbisë” për të rrëzuar marrëveshjet e Berilit.

“Largimi i serbëve është karta e Serbisë për të rrëzuar marrëveshjet e Berlinit. Pritej që Serbia të reagonte me sabotim dhe justifikim për të blerë kohë” – ka shtuar ai.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme tutje ka thënë se ai ka qenë i angazhuar të jap propozime për të mos ardhur në një situatë si kjo e fundit në veri.

“Është fatkeqësi qe kemi qëndrime jo të qarta sa i përket targave dhe asociacionit. Tani në këtë situatë duhet patjetër që ne të bëjmë lëvizjen e parë. Unë kam qenë i angazhuar që të jap propozime që të mos vie këtu ku jemi sot. Për 10 vite dialogu ka prodhuar një strukturë fragjile të marrëdhënieve me Serbinë, dhe kjo u shkatërrua për një ditë me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës” – ka thënë ai.

Abazi për udhëtimin e ministrave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se është një situatë që kërkon që ministrat të mbeten këtu.

Në konferencë për media, Abazi ka thënë se një nga objektivat kryesore të Rusisë është destabilizimi ekonomik i vendeve të BE-së.

“Ka indikator që po tregojnë qe përveç ndërhyrjes direkte dhe lajmet e rreme, qëllimi për të destabilizuar Evropën përmes çmimeve të gazit është evident. Ne përveç që jemi vonuar në lansimin e një plani emergjent, në po vazhdojmë të kemi debate që po frutsrojnë qytetarët dhe rezultati është i barabartë me zero. Ne duhet dialogu për dialogun me Serbinë, energjinë/ dekarbonizimin dhe për raportet me partnerët ndërkombëtar” – ka thënë tutje ai.