Haki Abazi - LVV

Haki Abazi: LDK po dëgjon planet e Thaçit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka regauar pas inicimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë nga ana e LDK-së.

Abazi ka thënë se LDK nuk i dëgjon miqtë ndërkombëtarë dhe sipas tij, ka vendosur ta dëgjojë vetëm presidentin Hashim Thaçi.

“Partia Institucionaliste e Mustafës me ata që kontrabanduan veten në pragun zgjedhor duan të rrëzojnë qeverinë. Ata e rrëzuan një ditë qeverinë Mustafa, e tani Mustafa kërkon që ata ta rrëzojnë LDK nga qeveria. A mund të shkojë Limaj në Amerikë?!”, tha ai.

“LDK nuk i dëgjon më as miqtë gjermanë, si eurodeputetja Von Cramon, as miqtë amerikanë, si profesori Daniel Serëer, të cilët po thonë se rrëzimi i qeverisë ka pasoja katastrofale për Kosovën dhe rajonin. LDK ka vendosur të dëgjojë vetëm planin e Thaçit”, ka shtuar më tej.

Ai ka komentuar edhe bashkëpunimin e LDK-së me AAK-në për këtë mocion.

“LDK e akademikëve bashkë me AAK, që kanë për qëllim mbajtjen e tarifës po duan mocion për të hequr tarifën- hipokrizi. Pabesia kërkon mocion besimi për veten. Ku mbeti demarkacioni i AAK?! 80 zëvendësministra kishim!”, tha Abazi.

Sipas Abazit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa po bashkëpunon me Thaçin.

“Mustafa dhe PDK-Thaçi janë në bashkëpunim për të ruajtur dhe vazhduar pengmarrjen e shtetit të Kosovës. Ata po u frikësohen zhvillimit dhe drejtësisë dhe po ashtu hapjes së librave të së kaluarës. E harroi Mustafa SHIK-un, dhe premtimet elektorale?”, tha më tej ai.

“Ky kor i burrave të pasur, mbi varfërinë e popullit, rrenojat e shtetit të kapur, është bërë bashkë me qëllim që të vazhdohet vijimësia e krimit dhe korrupsionit. Harruan COVID-19”, tha në fund Abazi.

Dje Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës është edhe ajo.

Ky vendim vie, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, ministër i cili vie nga radhët e LDK-së.

LDK sot ka zhvilluar takime me partitë opozitare, Nisma Socialdemokrate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në mënyrë që t’i mbledhin votat për këtë mocion.

Për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, LDK-së i duhen 61 vota të deputetëve prej 120 sa janë në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, përveç që e ka konsideruar katastrofik për Kosovën dhe rajonin mocionin nga LDK-ja, po ashtu e ka cilësuar edhe ‘grusht shtet’.