Haki Abazi: Kundër pazareve për President, qeveria ilegale duhet të dorëhiqet

Ish Zëvendës Kryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, përmes një postimi në Facebook ka kërkuar dorëheqjen urgjente të qeverisë së tanishme.

“Dorëheqja e kësaj qeverie ilegale është e domosdoshme dhe urgjentisht duhet bërë sepse përbën rrezik për interesin nacional dhe shtetror në situatën e krijuar”, ka shkruar Abazi.

Sipas Abazit, deri më tani janë mbledhur rreth 300 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar zgjedhje të reja.

“Ka mëse 300 mijë nënshkrime për zgjedhje të reja dhe qytetarët e kanë shprehur qartë përcaktimin e tyre. Askush nuk mund të ndalë sovranin”, ka shkruar Abazi.

Sipas tij, pazaret për presidet siç i ka quajtur ai janë jetëshkurtra.

“Pazaret për president janë jetëshkurtura sikur se edhe jeta e pazarit për qeverinë Koti. Ky popull dhe ky shtet nuk duron pazare nga njerëzit që as nuk janë te votuar e as nuk kanë fije kredibiliteti”, ka shkruar Abazi.

Me 3 qershor 2020, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë e re të përbërë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.