Ilustrim

Haki Abazi: Krimet e regjimit të Serbisë nuk do të falen

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi ka reaguar ndaj deklaratës së ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Abazi ka theksuar se krimet e regjimit të Serbisë nuk do të falen dhe do të zbardhen.

“Nuk është as e mundur e as e pranueshme që në një fjali të mbrohen vlerat e UÇK-së dhe të kërkohet falja dhe amnistia e krimeve të regjimit të Serbisë. Ata që kërkojnë këtë gjë duan të barazojnë dhe kjo përbën krim në vete. UÇK do të mbrohet e lartësohet përjetësisht ndërsa krimet e regjimit të Serbisë nuk do falen dhe do të zbardhen”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.