Haki Abazi: Ka dhjetëra deputetë të LVV-së të pakënaqur

Haki Abazi, deputet i Vetëvendosjes, i cili sot u shkarkua nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, tha se në këtë parti ka dhjetëra deputetë të pakënaqur për mosfunksionimin e duhur të grupit parlamentar.

Ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini tha se ata janë shtylla e vlerave dhe demokracisë së brendshme të LVV-së.

Për emrat e tyre, Abazi tha se nuk a ka të drejtën e as nuk do ta ketë që të flasë me emra.

Abazi shtoi se nuk është deputet “për ta shtrirë kurrizin” prandaj flet kaq hapur.

“Demokracia, funksionimi i brendshëm i LVV-së, vendimmarrjet komplekse në dikastere e ministri, diskutimi brenda grupit parlamentar është shumë  më i rëndësishëm se Haki Abazi e se Dejona Mihali, e se kushdo tjetër” – tha Abazi.

Rrjedhimisht, sipas tij, ata që kanë problem, ata që nuk kanë gatishmërinë për të shkruar fjalimet e tyre, të cilat sipas tij duhet të kontrollohen nga Dejona Mihali, e cila është koordinatore e komiteteve në LVV, mund të mos e thonë publikisht e mund të kenë llogari të tjera. Po ashtu tha se mund të ketë edhe ministra që nuk e duan këtë formë të kontrollit por nuk e thonë për të mos rrezikuar pozitën e tyre.

Abazi vazhdoi duke thënë se nuk ka asnjë takim të grupit parlamentar ku Mihali nuk e ka fjalën e fundit. E në ato takime ku ajo nuk merr pjesë, ai tha se përfundimi është i paqartë deri në koordinimin e Mihalit me udhëheqësen e grupit parlamentar, Mimoza Kusari – Lilën.

Ai shtroi pyetje se me çfarë legjitimiteti dhe kompetence ajo ushtron ndikimin e saj mbi deputetë dhe ministra.