Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Haki Abazi i bashkohet AAK-së në garën zgjedhore
Deputeti i pavarur, Haki Abazi, pritet t’i bashkohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në garën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2024.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, sot, më 30.11.2024.
Xhemaili ka njoftuar se nesër, më 01.12.2024, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe deputeti Haki Abazi, do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie, nga ora 12:00, në selinë e AAK-së, në Prishtinë.
“Po, z. Haki Abazi do tëjetë pjesë e listës së Koalicionit të udhëhequr nga AAK. Për më shumë ju ftoj që nesër në ora 12:00 ta ndiqni konferencën e përbashkët të Z. Haradinaj dhe z. Abazi, në selinë e AAK-së”- ka thënë Xhemaili për KALLXO.com.
Abazi është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje para dy vjetësh për shkak të mospajtimeve me politikat që ndiqte kjo parti.
Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë zë kritik në Kuvendin e Kosovës, kundër Qeverisë Kurti.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmbanë 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 09.02.2025 është 209,878, sipas të dhënave të KQZ-së.