Kandidati i AAK-së, Haki Abazi. Foto: Naser Fejza: KALLXO.com

Haki Abazi (AAK): Sektori i arsimit është degraduar për 25 vjet

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi i sheh partitë që kanë qeverisur në vend që nga paslufta e këndej si fajtore për degradimin e sistemit të arsimit në Kosovë. Megjithatë, në mesin e këtyre partive, në periudha të caktuara ka qenë edhe AAK-ja, e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Në “Debat Përnime”, Abazi e bëri këtë konstatim duke thënë se dëshiron të jetë “plotësisht i sinqertë para votuesve”.

“Sektori [i arsimit] është degraduar për 25 vjet në mënyrë konstante, pjesërisht nga politizimi e tentimi për ta bërë këtë sektor makinë votuese, e pjesërisht duke mos pasur vizion se si duhet të reformohet ky sistem dhe si duhet ballafaquar me sfidën.” – ka thënë Abazi.

Tutje, Abazi foli edhe për digjitalizimin e lëndëve mësimore. Kjo gjë, sipas tij, mund të bëhet me 3-4 milionë euro – nëse ka vullnet politik.

Përveç kësaj, ai foli edhe për Rajonin 05 (Ferizaj), me ç’rast përmendi disa nga projektet që koalicioni AAK-Nisma parasheh t’i realizojë në mandatin e saj të parë.

Lidhur më këtë u premtua investim në Qendrën e Skijmit në Brezovicë.

Premtim u dha edhe për ndërtimin e Centralit me gaz në Komunën e Obiliqit.

“Centrali me gaz duhet të ndërtohet në rrethinën e Obiliqit, aty ku janë kyçjet për transmisionin shpërndarës. Do të ishte gabim që të tentohet të bëhet diku tjetër.” – tha ai.

Ndërsa, bashkëpartiaku i Abazit, Nazim Gagica premtoi se në mandatin e parë do të përfundojë impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

“Impiantin e ujërave të zeza në Gjilan, i nisur në qeverisjen e z.Haradinaj, i cili ngeci në këtë Qeveri ne do ta mbyllim në këtë mandat qeverisës.” – tha Gagica.

AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Plani për arsimin i koalicionit AAK-Nisma: Rritje të pagave për mësimdhënësit dhe digjitalizim të shkollave