Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hajrullah Çeku: Çdo inspektor që kërkon haraç e ryshfet do të largohet nga puna

Hajrullah Çeku, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në #DebatPernime, ka deklaruar se do të rrisin numrin e inspektorëve për të ndaluar keqpërdorimet në shfrytëzimin e resurseve natyrore.

“Vet ata inspektorë, nganjëherë i kemi detyruar, por një pjesë të tyre edhe jo, që të veprojnë në disa suaza korruptive, ku ryshfeti dhe mitoja që është marrë atje është marrë në shkëmbim të mbylljes së njërit sy ndaj keqpërdorimeve që janë bërë atje. Do ta rrisim numrin e inspektimeve që të sigurohemi që në çdo cep të Kosovës të rrisim kontrollin”, tha Çeku në DebatPernime.

Çeku tha se duhet të rritet numri i inspektorëve që të rritet kontrolli dhe shteti ta merr rolin mbikqyrës.

“Do ta përdorim politikën e ndëshkimit që një pjesëtar që kërkon ryshfet e haraç të largohet në mënyrë që tjetri mos të bëjë atë gabim të njëjtë”, tha Çeku.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK, dhe Hajrullah Çeku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.