Foto: MKRS

Hajrulla Çeku pranon zyrtarisht detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Hajrulla Çeku, ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pranuar sot zyrtarisht detyrën nga zëvëndësministri në detyrë, Engelbert Zefaj.

Zefaj ka thënë se në emër të ish – ministres Vlora Dumoshi është autorizuar ta bëjë pranim – dorëzimin e detyrës, duke e uruar Çekun për postin e ri.

“Jam i nderuar që sot ta bëj këtë detyrë dhe më vjen mirë që ju z. Çeku, një person me përvojë në fushën e kulturës dhe fusha tjera, e pranon këtë detyrë. Ministria ka punuar shumë, mirëpo pandemia ishte sfiduese për pengimin e realizimit të shumë aktiviteteve. Sfiduese për operatorët dhe institucionet që të mbaheshin aktivitetet”, ka thënë Zefaj.

Zefaj i ka dorëzuar Çekut edhe një pako-folder ku janë pëmbledhur punët e bëra nga ish- minstrja Dumoshi.

Ndërkaq, ministri Çeku pasi ka uruar ish-ministren dhe stafin e saj për punën e bërë, shprehu përkushtimin e tij për avancimin e punës së MKRS-së.

“Jam i vetëdijshëm për detyrën që po marr, një detyrë për t’ i shërbyer vendit, dhe qytetarëve, specifikisht komuniteteve me të cilat merret kjo ministri”,  tha ministri i ri i MKRS-së, Hajrulla Çeku.

Hajrulla Çeku ka lindur në vitin 1983 në Prizren.

Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Shkenca Politike dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.

Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile, i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit.

Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Çeku ishte zgjedhur deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte kryetar i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transparencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.

Çeku më 2017 ishte emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, ndërsa dha dorëheqje një vit më vonë, më 31 tetor 2018, për arsye familjare.

Foto: MKRS