Hajnat hyjnë në një shtëpi në Ferizaj, gjuajnë me armë dhe vjedhin para e stoli ari

Të enjten në mbrëmje, një qytetar nga Ferizaj është përballur me 3 hajna që kishin hyrë me forcë në shtëpinë e tij.

Pronari i shtëpisë në Policinë e Kosovës ka deklaruar se të dyshuarit, pasi janë vërejtur nga ai kanë filluar të ikin dhe gjatë ikjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së ankuesit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është thënë se ankuesi ka deklaruar se nga të dyshuarit janë marr stoli ari dhe para të gatshme.

Ngjarja e iniciuar si “Vjedhje e rëndë dhe Gjuajtje me armë zjarri” raportohet të ketë ndodhur në Ferizaj, dje rreth orës 21:31.

Gjithmonë duke iu referuar raportit policor, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është aktivizuar plani operacionale.

Në njoftim nuk është raportuar për të arrestuar, përderisa është thënë se rasti është duke u hetuar.