Hajdari për aktakuzën për mos deklarim të pasurisë: E marr përsipër përgjegjësinë e vonesës

 

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit për mosdeklarim të pasurisë.

Ministrja ka thënë se e merr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim.

“Më vjen mirë që ekziston një ligj. E marr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje, për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare të juaj, për zgjedhjet e të gjitha të tjerat”- tha Hajdari.

“Sa i përket gjetjeve tjera për mua, ju lutem drejtoni me shkrim në prokurori, më auditoni, ju mirëpres”- shtoi ajo.

Kjo deklaratë e Hajdarit erdhi pasi, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se nuk mud t’i besojnë një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë dhe ka aktakuzë.

“Nuk mund ti besojmë kësaj ministri e kësaj ministre, e cila parimisht vetë e mashtron shtetin dhe nuk deklaron pasurinë e saj dhe pratikisht sot është ministre me aktakuzë. Sot na thotë besona edhe produktet bazë të qytetarëve të Kosovës, një ministre dhe një komisioni”- u shpreh Shala.

Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.

Në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.