Hajdari: Nuk kam gjetur asnjë politikë të zhvilluar në 10 vitet e fundit për tregti e industri

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se si ministre, nuk ka gjetur asnjë politikë të zhvilluar për industrinë, investimet, tregtinë dhe turizmin në 10 vitet e fundit.

“Unë si ministre nuk kam gjetur asnjë politikë të zhvilluar në 10 vitet e fundit për industrinë, investimet, për tregtinë, turizmin. Kjo është ajo që e kam gjetur”, është shprehur Hajdari.

Ministrja ka thënë se është shumë e angazhuar me punë dhe se ka analizuar shumë sektorë duke shtuar se ka zhvilluar politika dhe po vazhdon edhe për sektorë tjerë.

“Disa po na kritikojnë se ne se po veprojnë por, ne jemi shumë të angazhuar me punë. Kemi analizuar shumë sektorë kemi zhvilluar shumë politika dhe tani po vazhdojmë për energjinë për industrinë për inovacionin për ndërmarrësinë dhe për turizmin“, tha Hajdari.

Më tej, Hajdari theksoi se po ndërmerr veprime sidomos në sektorin e naftës.

“Ne po marrim veprime shumë sidomos në sektorin e naftës siç e dini e kemi gjetë një  problem shumë të madh duke filluar nga laboratorët se si janë ble dhe si janë furnizu ato shitës me pakicë e shumicë”, shtoi ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së , Mimoza Kusari-Lila, teksa ka propozuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve,  ka thënë se ajo çfarë LVV po propozojnë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend.

“Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se ulja e TVSH-së në disa sektorë nuk përcillet me uljen e çmimeve te konsumatorët, por vetëm fitim më të madh të bizneseve.

“Me praktikën e mëhershme se ulja e TVSH-së në një sektor nuk përcillet me uljen e çmimit për konsumatorët, por rritjen e fitimit për bizneset, është i domosdoshëm mekanizmi i cili parandalon abuzimin me faktorët e lartpërmendur”, ka thënë deputetja Kusari-Lila.