Niman Hajdari

Hajdari: Avokati i Popullit ka evidentuar mosrespektim të Ligjit për të drejtat e komuniteteve

Niman Hajdari, zëvendës-Avokat i Popullit, ka thënë se Avokati i Popullit e ka evidentuar mosrespektimin e Ligjit për të drejtat e komuniteteve në Kosovë.

“Situatë më e rëndë te të drejtat e komuniteteve paraqitet tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, sa i përket realizmit të kuotave për punësim në shërbim civil, por edhe të drejtës së tyre për një jetë më të dinjitetshme”, ka thënë ai.

Hajdari në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se edhe diskriminimi i nxënësve në Pejë gjatë festës së Abetares është duke u hetuar nga Avokati i Popullit.

“E patëm rastin në Pejë në shkollë, ku kemi një rast të segregimit që ngjan me rastet e viteve të ’60 në SHBA ku raca e zezë është ndarë nga e bardha. Avokati i Popullit është duke e hetuar këtë rast, ne e konsiderojmë si rast shumë të rëndë”, shtoi Hajdari.

Hajdari foli edhe për punësimin e personave me aftësi të veçanta, ku theksoi se shumica e institucioneve nuk e respektojnë Ligjin për punësim të tyre, madje nuk kanë as infrastrukturë.

“Shumica e institucioneve nuk kanë punësuar persona të kësaj kategorie, po ashtu infrastruktura është shumë e keqe, shpesh nuk ka qasje në institucionet publike”, shtoi ai.

Sipas të dhënave, prej mbi 38 mijë të punësuarve në nivel lokal në 38 komuna, vetëm 184 janë me aftësi të veçanta, janë edhe 500 vende që duhet t’i takojnë kësaj kategorie.

Hajdari tha se edhe gjendja me shkollimin e personave me aftësi të veçanta është shumë e rëndë, sipas tij, mijëra fëmijë të kësaj kategorie nuk ndjekin shkollim.

“Gjendja në shkollimin e personave me aftësi të veçanta është shumë e rëndë, si shoqëri duhet të angazhohemi për përmirësim pasi nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, u mungon edhe infrastruktura”, ka thënë Hajdari.