Hajdar Beqa zotohet se do të punojë që ta kthejë PDK-në në pushtet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, i cili nuk ka arritur të marrë sërish mandat në legjislativ ka deklaruar se ka pritur të rizgjidhet deputet.

Megjithëkëtë, ai për KALLXO.com ka thënë se e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe se është i kënaqur me të.

“Sa i përket rezultateve, ne kemi pritë me dalë parti e parë. Në të njëjtën kohë edhe unë kam pritë me u rizgjedh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, por jam i kënaqur me rezultatin, gara ka qenë kjo. Për mua është rezultat i pranueshëm”, ka shtuar ish-deputeti.

Beqa i ka falënderuar votuesit, duke  theksuar se do të punojë që ta sjellë PDK-në sërish në pushtet.

“Ndihem shumë i privilegjuar. Më kanë votuar mbi 8 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, respektivisht anëtarët të Partisë Demokratike. Kjo më bën në të njëjtën kohë përgjegjës që me dhënë kontribut përmes PDK-së për vendin dhe për qytetarët. Unë jam në struktura të PDK-së, përmes tyre do të angazhohem maksimalisht që me ardhë Partia Demokratike në pushtet edhe në nivel lokal po edhe në nivel qendror, që me i shërby vendit përmes institucioneve”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Beqa, në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë vetëm 8,075 vota, ndërsa në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 10,114 vota.

Së fundmi, ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa është përmendur në seancën gjyqësore për vrasjen me pagesë ndaj Ferdinand Gjinit.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish-deputetin Beqa, i cili mohoi se ndonjëherë është kontaktuar nga familjarë të Bekim Rajës ose i është kërkuar ndihmë në këtë rast.

Ndërsa, në emisionin Drejtësia në Kosovë, është publikuar hulumtimi se si vëllai i ish-deputetit, Hasan Beqa, i kishin kërkuar 33 % të aksioneve pas një ankandi të fituar në komunën e Gjakovës.

Këshilli Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës ka 25 vende në Kuvend.

Një muaj e një ditë që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot shpalli rezultatet përfundimtare.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë.

LDK më 6 tetor grumbulloi 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë, kurse koalicioni AAK-PSD ka marrë 96,883 vota apo 11.477% apo 14 deputetë.

Lista Serbe ka marrë 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6.754%.

Koalicioni Nisma–AKR–PD nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor, pasi grumbulloi vetëm 42,072 vota apo 4.984%.

KALLXO.com ka provuar të marrë komente edhe nga kandidatë të tjerë për deputetë që nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për këtë pozitë, si Ismet Beqiri (LDK), Xhavit Haliti (PDK), Blerim Kuçi (AAK), Muharrem Nitaj (AAK), Halil Matoshi (AAK), por të njëjtit nuk janë përgjigjur në thirrjet përmes telefonit.