Guvernatori i BQK-së takohet me ministrin e Financave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka zhvilluar takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.

Mehmeti ka njoftuar Muratin lidhur me zhvillimet në sektorin financiar si dhe angazhimin e BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjën ekonomike të vendit.

“Guvernatori Mehmeti njoftoi Ministrin edhe lidhur me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Evropian, me theks të veçantë në veprimet e ndërmarra nga BQK-ja për harmonizimin e kornizës rregullative bankare me kornizën e Bazel III, liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me sistemin financiar në vend”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Ndërkaq, ministri Murati ka shprehur interesim për të vazhduar bashkëpunimi në mes dy institucioneve me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Njoftimi i plotë i Bankës Qëndrore të Kosovës:

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka pritur në takim ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në këtë takim Guvernatori Mehmeti njoftoi Ministrin Murati lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përkatësisht sektorin bankar, sigurimeve dhe sektorët tjerë financiarë në vend dhe angazhimin e mëtejmë të BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mbajtjes së sektorit financiar stabil dhe likuid.

Nga ana tjetër, ministri Murati shprehu interesimin që të vazhdojë bashkëpunimi i deritashëm mes dy institucioneve me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar nga pandemia dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të politikave ekonomike që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund, Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Murati u dakorduan, që bashkëpunimi mes dy institucioneve të vazhdojë edhe në të ardhmen.