Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Guvernatori i BQK-së: Rritja ekonomike në vitin 2022 pritet të jetë rreth 3%

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se Kosova në vitin 2022 pritet të ketë rritje ekonomike rreth 3%.

Mehmeti theksoi se një ndër faktorët e ngadalësimit të rritjes ekonomike krahasuar me vitin e kaluar është inflacioni që ka përfshirë vendin.

Kosova në vitin 2021, sipas BQK-së kishte pasur rritje rreth 10%.

“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që rritja ekonomike për këtë vit të jetë diku rreth 3%” – tha guvernatori Mehmeti.

“Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e uljes së kërkesës së brendshme si dhe rritjes së deficitit të eksporteve neto, përderisa rreziqet me pandeminë janë zvogëluar, ritmi i rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet si pasojë e dy krizave. E para është pengesa ende evidente sa i përket zinxhirit të furnizimit nga pandemia dhe presionet shoqëruese inflacioniste të kombinuara me efektet e luftës në Ukrainë që përforcoi edhe më shumë rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, ka thënë guvernatori i BQK-së gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në muajin prill të këtij viti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kishte thënë se në vitin 2022 pritet të ketë rritje ekonomike prej 5.7%.

“Mirëpo, si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës pritet të ketë një rritje më të moderuar në vitin 2022, andaj edhe vlerësimet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve janë rishikuar krahasuar me ato fillestare për këtë vit. Kështu, nga parashikimet presim që rritja reale e vitit 2022 të arrijë 5.7 për qind”, kishte thënë Murati.