Guvernatori i BQK-së: Në veri ka ndërmjetës financiar ilegal

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa ku janë duke raportuar përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, është bërë e ditur se në pjesën veriore të Kosovës, në komunat me shumicë serbe ka ndërmjetës financiar ilegal.

Për këtë çështje, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se e ka njoftuar Policinë e Kosovës.

“Po, ka në pjesën veriore, ne e kemi informu Policinë e Kosovës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Ka pas edhe në Graçanicë por është mbyllë nga Policia e Kosovës”, ka thënë Mehmeti para deputetëve.

Ndërsa zv.guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ngriti edhe një shqetësim tjetër, se edhe në pjesë të tjera të Kosovës ka kompani të tjera që e përdorin termin “bankë” dhe janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

“Shqetësimi nuk është për zonat të shumicës komunitet serb, kohëve të fundit e kemi vërejtur një dukuri, që synojmë ta ngrisim me Ministrinë e Tregtisë, specifikisht me ARBK, asnjë institucion nuk mund ta përdor termin bankë pa aprovim nga BQK, një numër i individëve vijnë e regjistrojnë një institucion edhe përdorin termin bankë dhe me certifikatë dalin jashtë Kosovës dhe e shfrytëzojnë atë për të bërë mashtrime duke përdorin termin bankë.  Të eliminohen të gjitha institucionet që kanë termin bankë e që nuk kanë aprovim paraprak”, ka theksuar Havolli.