Guvernatori i BQK-së: Deri në fund të vitit do të kemi rritje ekonomike prej 9.9%

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere tha se Kosova deri në fund të vitit do të ketë një rritje ekonomike prej 9.9%.

Mehmeti tha se edhe kjo rritje por edhe inflacioni varet nga rrjedha e pandemisë COVID-19 që sipas tij ka shkaktuar krizë ekonomikë.

“Po, do të kemi një rritje reale ekonomike prej 9.9% deri në fund të vitit. Varet nga rrjedhja e pandemisë e cila e ka shkaktu edhe krizën ekonomike. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhëna  për rënie ekonomike prej fillimisht 3.4% fillimisht e më pas ka lëvizur në 5.3%. Në momentin që ka lëvizje të këtyre numrave na tregon që ka indikatorë të rritjes ekonomike”, tha ai.

Tutje Mehmeti shtoi se në vitin 2020, Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte parashikuar rënie ekonomike prej 3.4% në Kosovë ndërsa më pas kjo kishte lëvizur në 5.3%.

“Në vitin e kaluar, ASK në fillim të vitit kishte parashikuar se do të ketë një rënie ekonomike prej 3.4% ndërsa më pas kjo kishte rezultuar me 5.3% rënie ekonomike të vendit. Lëvizja e këtyre numrave tregon edhe rritjen e indikatorëve të inflacionit e cila ndryshon muaj për muaj sipas ASK-së”, tha ai.

Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga parashikimi i BQK-së për rritje ekonomike prej 9.9% do të varet planifikimi buxhetor i çdo institucioni në Kosovë.

“Ju po thoni që viti do të mbyllet me rritje reale ekonomike 9.9%, a mund të na tregoni se si po bazoheni ju në këtë? Ajo çfarë po kuptoj unë si ekonomist është që nga ky parashikim duhet që të gjitha institucionet të planifikojnë anën financiare të tyre”, tha Hoti.