Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Guvernatori i ankohet një ambasadori të QUINT-it: Politika po ma kërkon shkarkimin e Sokol Havollit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti i ka dërguar një letër ambasadorit të QUINT-it, në të cilën e njofton se gjendet nën presion politik që ta shkarkojë zëvendësguvernatorin, Sokol Havolli.

Në letrën që KALLXO.com ka siguruar përmes burimeve brenda njërës prej ambasadave të shteteve të QUINT-it, Guvernatori thotë se nuk ka arsye për ta shkarkuar Havollin.

“Pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023”, ka shkruar Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti e ka informuar ambasadorin po ashtu se Kuvendi i Kosovës (përmes Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere) e ka futur në rend dite themelimin e një grupi punues me detyrë implementimin dhe mbikëqyrjen e Ligjit për Bankën Qendrore dhe Ligjit për Sigurime.

Mehmeti ka shkruar ky vendim politik padyshim që ndërhyn në pavarësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe e dobëson raportin e Bankës Qendrore me mekanizmat ndërkombëtar.

“Institucionet politike, siç është Kuvendi, nuk mund (dhe nuk duhet) të kenë kompetenca për të kryer inspektime në hapësirat e Bankës Qendrore dhe të ndërhyjë në punën e saj”, thuhet në letrën e Mehmetit.

Guvernatori ka thënë se do ta bëjnë publikë presionin që kanë si Bankë Qendrore në mënyrë që ekspozojë “kundërligjshmërinë e veprimeve të tilla dhe duke e informuar opinionin e gjerë për pasojat e mundshme për ekonominë e vendit në përgjithësi”.

Mehmeti thotë se letrën tek Ambasadori po e dërgon sa për të informuar rreth zhvillimeve në BQK.

Kjo është letra e plotë e guvernatorit Fehmi Mehmeti drejtuar ambasadorit

Shkelqësia juaj, 

Përmes kësaj letre, më lejoni të ju tërheqi vëmendjen tuaj për disa zhvillime në sektorin financiar të Kosovës, si dhe për disa çështje të fundit që kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e Bankës Qendrore të Kosovës, të garantuara sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Bankën Qendrore.

Sektori financiar në Republikën e Kosovës është një nga sektorët më të stabil dhe më të suksesshëm. Me përpjekje të përbashkëta, përfshirë edhe institucionet partnere, siç është Ambasada juaj e nderuar, kemi arritur ta ndërtojmë dhe mbështesim një Bankë Qendrore profesionale dhe të pavarur ndër vite. Si rezultat i qeverisjes së përgjegjshme si dhe pavarësisë së Bankës Qendrore, e shkëputur nga politika ditore, sektori financiar në Kosovë ka qenë një ndër storiet kryesore të suksesit në vend.  Raportet ndërkombëtare (të tillë si Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2021), e listojnë sektorin financiar të Kosovës si shumë të suksesshëm, pasi i ka përmbushur të gjitha standardet e aplikueshme që ishin pjesë e kompetencave dhe përgjegjësive të Bankës Qendrore. Gjetje të ngjashme gjenden edhe në raportet kombëtare) p.sh., nga EPIK, një organizatë joqeveritare, në raportin e vitit 2021).

Banka Qendrore ka arritur t’i tejkalojë edhe sfidat më të mëdha për sistemin financiar, të tilla si COVID-19 dhe lufta aktuale në Ukrainë, përmes politikave të përshtatura brenda vendit, të cilat kanë siguruar stabilitet si askush tjetër në rajon. Në një ekonomi të kufizuar për shkak të masave bllokuese, ne arritëm megjithatë ta mbajmë një nivel të ulët kredish me probleme, kapitalizim të lartë dhe likuiditet të lartë në sektor, përveç rritjes së konkurrencës duke i licencuar institucionet e reja. Për më tepër, në tri vitet e fundit kemi arritur që sektori i sigurimeve të jetë në përputhje të plotë me kuadrin rregullator dhe tani synojmë liberalizimin e tregut të produkteve TPL, duke qenë vendi i parë në rajon që adopton praktika të tilla moderne.

Marrë parasysh këtë histori suksesi të Bankës Qendrore të Kosovës, për ne është e çuditshme dhe në të njëjtën kohë shqetësuese që legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës po tenton të ndërhyjë politikisht në pavarësinë dhe autonominë e garantuar me Kushtetutë të Bankës Qendrore (nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës).

Së fundmi, Kuvendi i Kosovës (përmes Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere) e ka futur në rend dite themelimin e një grupi punues me detyrë implementimin dhe mbikëqyrjen e Ligjit për Bankën Qendrore dhe Ligjit për Sigurime. Ky vendim politik padyshim që ndërhyn në pavarësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe e dobëson raportin e Bankës Qendrore me mekanizmat ndërkombëtarë (dhe, me këtë, e dobëson stabilitetin e sektorit financiar të Kosovës). Institucionet politike, siç është Kuvendi, nuk mund (dhe nuk duhet) të kenë kompetenca për të kryer inspektime në hapësirat e Bankës Qendrore dhe të ndërhyjë në punën e saj. Për më tepër, pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin. Z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023.

Një shpërfillje e tillë e Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse nga spektri aktual politik nuk duhet të kalojë pa u vënë re. Deri më tani, ne jemi përmbajtur nga bërja publike e kësaj çështjeje, pasi kemi besuar se kjo mund të jetë e përkohshme dhe kemi arritur ta bindim spektrin politik për domosdoshmërinë e pavarësisë së BQK-së. Për shkak se masat më të vogla duket se nuk po funksionojnë, Banka Qendrore e Kosovës planifikon ta iniciojë një komunikim publik, duke e ekspozuar kundërligjshmërinë e veprimeve të tilla dhe duke e informuar opinionin e gjerë për pasojat e mundshme për ekonominë e vendit në përgjithësi. Meqenëse Ambasada juaj e respektuar ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e Bankës Qendrore, e pashë të nevojshme t’ju informoj për këto zhvillime të mundimshme dhe për hapat tanë të mëtejshëm.

Në fund, dëshiroj ta shpreh mirënjohjen e përzemërt të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të domosdoshme të Ambasadës suaj të nderuar ndaj institucionit tonë, dhe shfrytëzoj rastin që t’iu ftoj të na nderoni me një vizitë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për një diskutim të mëtejshëm të këtyre çështjeve.

Sinqerisht,

Fehmi Mehmeti

Guvernator 

Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës