Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gurë në vend të varreve të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë

Më i mirë ish varri se sesa mos me ditë’,  është fragmenti i një nëne i kthyer në ekspozitë që shpërfaq dhimbjen e familjarëve të 1622 të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Të dhënat personale të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë të vendosura në koridorin-labirint të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, përcollën familjarët deri tek ‘varri’ i atyre që edhe pse më shumë se dy dekada pas luftës nuk u gjetën.

Rruga deri tek pjesa qendrore e ekspozitës ishte e mbushur me familjarë të cilët lexonin emrat e më të dashurve të tyre të pagjetur. Pas leximit të emrave të të pagjeturve, ata do mund të gjenin prehje në gurët që simbolizonin varret.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’ është fjali shprese e zie e Kumrije Jahmurataj, një nga familjarët e shumtë që akoma sot presin më të dashurit e tyre.

Gurët e mëdhenjë të vendosur në errësirë, në mes të orëve digjitale tregonin kohën që po ikë e për dikë është ndalur. Gurët në mes të atelesë qëndronin si dëshmitarë të kohës dhe simbolizonin kohën si dëshmitare të atyre gurëve që peshojnë rëndë vetëm në vendin e tyre.

Përderisa koha që nga zhdukja e të pagjeturve ecte mbrapsht në orët digjitale të vendosura në mur, gurët ta jepnin nxehtësinë e një varri që i çmallte familjarët- në të njëjtën kohë ndjenjën e ftohtësisë së një varri të zbrazur.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuratorja e ekspozitës Blerta Hoçia, tha se me orët e kuqe janë munduar të numërojnë kohën mbrapsht të secilit familjar për mungesën që ndjejnë për të pagjeturit. Ndërsa gurët që formohen me kohën janë dëshmi e kohës që po kalon pa u zbardhur fati i tyre. Përpos kësaj ata simbolizojnë edhe reliktin dhe kujtimin e pashkatërrueshëm.

“Guri në vete është kohë dhe një anglomerat mineralesh. Ideja ishte se si të prezantojmë mungesën. E shkuara në të vërtetë është mungesë, mungesë e pranisë”, tha Hoçiu për BIRN.

 Ajo tha që përmes kësaj ekspozite-memorial janë munduar ta transmetojnë ndjenjën e mungesës dhe prehjes.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, artisti i ekspozitës, Driton Selmani tha që përmes ekspozitës kanë tentuar që t’i ofrojnë mundësinë e qetësisë dhe prehjes familjarëve të të pagjeturve që në mungesë të varreve të gjejnë prehje tek 10 gurë me nga 2 tonë.

“Familjet e të pagjeturve janë viktima kryesore të këtij fati dhe ata janë njerëzit që jetojnë por thellë, thellë janë të vdekur sepse ata nuk dojnë me vdekë pa e varros të vdekurin e tyre. Kurse të vdekurin e pret guri”, tha ai për BIRN.

Dëshirën për t’ia bërë të paktën një varr familjarëve të tyre të pagjetur, Selmani e konsideron si shpresën më makabre që e ka secila familje.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me këtë ekspozitë po bëhet thirrje tek institucionet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Që nga paslufta, në Kosovë dhe Serbi janë kryer zhvarrime në varreza masive dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Më 5 maj, në Kizhevak të Rashkës në Serbi, kishin rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. 

Gërmimet e para në varrezën masive të Kizhevakut, janë bërë në fund të vitit të kaluar. Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.

Kjo ekspozitë është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK). Ky Fond që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. 

Fotografi nga ekspozita:

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com